31.

130 5 6
                                    

Kaloi gati një orë që prej momentit kur Katerina doli nga apartamenti i saj së bashku me Zedersonin. Ajo e shëtiti psikologun e saj në të gjithë vendet ku ajo kishte shkuar shpesh për të kaluar kohën e saj të lirë. Brodhën gjithë qendrat tregtare ku ajo blinte produkte të ndryshme. Shëtitën rrugëve të Nju-Jorkut, rrugëve ku Katerina kish lënë gjurmët e para të ardhjes së saj në këtë vend të zhurmshëm, aspak të heshtur. Më pas shkuan tek një dyqan parfumerie, nga ku dilnin dhe parfumet që përdorte vetëm Katerina. Ishin parfume franceze, të ardhur direkt nga Parisi.

Për një moment, shqisa e saj e nuhatjes spikati një aromë të njohur parfumi. Ktheu kokën në njërin nga raftet e parfumeve. E gjeti menjëherë se kush ishte parfumi që e tërhiqte.
-Më lër ta gjej. Është esenca e trëndafilit të bardhë, apo jo?
-Po, znjsh. Katerinë. Është pikërisht parfumi që po kërkonit prej kohësh. Ka pak orë qëkur erdhi ky lloj parfumi në dyqanin tonë, - u përgjigj shitësi duke buzëqeshur.
-Do ta blej menjëherë, - Katerina ishte gati të hidhej nga emocionet.
E ndërkohë, Zedersoni po e vështronte pacienten e tij. Ajo dukej kaq e lumtur, kaq e emocionuar. Fytyra e saj nuk kishte asnjë nuancë të asaj dite kur ajo u rrëfye për të shkuarën e saj. Kjo e sotmja ishte një ditë komplet tjetër.

Pak më vonë, ata të dy u ulën diku në një stol, nga ku shfaqej një horizont i pastër dhe i bukur.
-Pra, ty të pëlqejnë parfumet? - e pyeti ai, si për të hapur një bisedë.
-Po, më pëlqejnë shumë. Dyqani në të cilin shkuam është i vetmi këtu në Nju-Jork. Domethënë, i vetmi dyqan ku unë blej parfume sa herë që më duhet të blej. Ka shumë dyqane të tillë, por këta kanë diçka të veçantë. Parfumet që vijnë këtu janë origjinalë francezë. Dhe është i vetmi dyqan këtu në Nju-Jork në të cilin mund të gjej parfum si ky që sapo bleva.
-Në fakt ti u emocionove shumë kur e more atë parfum.
Ajo ia nguli sytë për një moment.
-Kaq e dukshme ishte?
-Po, Kei. U emocionove shumë. Dhe më lindi një pyetje në kokë në lidhje me këtë. Çfarë të veçante ka ai parfum?

Sytë e saj vështruan përtej horizontit që gjendej para fytyrës së saj.
-Kam kujtime të veçanta nga ky parfum. Aroma e tij... më kujton mamanë time. Ishte i njëjti parfum që ajo përdorte. E adhuroja atë parfum mbi trupin e asaj gruaje. Në fakt, mamaja ime ka qenë... një ndër të vetmet femra që e kam adhuruar në lidhje me shijet e saj femërore. Ajo kishte sharm, kishte finesë. Ishte një grua elegante dhe me klas. Kishte një pamje të mrekullueshme. Flokët e saj ishin të kafenjtë të errët, dhe të gjatë. Ajo vetë ishte e gjatë. Ecte përherë mbi takat e saj të preferuara në ngjyrë të kuqe. Dukej si një divë. Ajo nuk kishte frikë nga asgjë. Mënyra se si ajo më trajtonte ishte kaq... e veçantë. Ajo ishte një mama e dashur dhe e ëmbël. Ajo bënte çdo burrë t'i binte në gjunjë. Dhe... e di shumë mirë se si sytë e burrave nguleshin mbi të. Ata ëndërronin që një ditë të mund t'u binte në dorë një grua si mamaja ime. E doja atë, shumë. E doja mamanë time kaq shumë. Isha e lumtur që isha vajza e saj. Vajza e saj e vogël. Njerëzit thonë se unë jam një kopje e saj kur ajo ka qenë kaq sa jam unë sot. Ndoshta... kjo është arsyeja pse njerëzit që më njohin më adhurojnë. Por le të themi, unë nuk jam plotësisht angleze. Vetëm gjysma ime si Katerinë është angleze, nga babai. Gjysma tjetër është nga mamaja. Ajo nuk ishte angleze. Ishte... një franceze. Një grua nga Parisi. Dhe kjo është një nga arsyet se pse e adhuroj këtë parfum që bleva.

-Pra, paske arsye vërtet të forta se pse të pëlqen ai parfum.
Ajo tundi kokën duke buzëqeshur, ndërkohë që Zedersoni vazhdonte ta shikonte atë. Kishte diçka krejt tjetër në shikimin e tij ndaj saj.
-Të besoj në çdo fjalë që thua. Nuk ka asnjë gënjeshtër në fjalët e tua, Kei. Nuk mund të gënjesh dot kur vjen puna tek mamaja jote. Po e përfytyroj atë, dhe më ngjan me ty. Pamja e saj është mishëruar tek ti. Je me fat që ke lindur nga një mama e mrekullueshme, sepse ti vetë je e tillë. Nuk mund ta mohoj, nuk je pak. Je një femër vërtet e veçantë, pavarësisht gjithçkaje që mund të të ketë ndodhur.

Sytë e saj gjetën fytyrën e tij. Vështrimi i saj u shndërrua sërish në një vështrim ironik.
-Hmm... mesa duket, klima e Nju-Jorkut po të bën mirë, zoti psikolog. Nuk prisja ndonjëherë të merrja ndonjë kompliment nga psikologu im i gjashtëmbëdhjetë. Aq më pak sot. Por le të themi, është korrik. Është muaji i mesit të verës. Dhe sigurisht që dhe ti si njeri i akullt do të shkrije një ditë.
-Kaq i akullt të dukem, Kei?
-Ti nuk më dukesh i akullt. Ti je i akullt. Por sot dukesh një njeri komplet tjetër. Nuk e di në ndikoi klima... apo fakti se ke disa ditë qëkur gjendesh në Nju-Jork, me pacienten tënde të çuditshme.

E vetmja gjë që mund të bënte Zedersoni në atë moment, ishte të qendronte me atë buzëqeshje në fytyrë. E kush mund ta dinte arsyen e vërtetë se pse ndryshoi ai brenda pak kohe, përveç atij vetë? Gjithçka që ndiente në atë moment ishte thjesht një lumturi e pazakontë teksa dëgjonte pacienten e tij të fliste me ironi për të. A thua se ajo ishte krejt e veçantë. A thua se ajo ishte njësoj si mamaja e saj. A thua se ishte po aq e mrekullueshme si vetë mamaja e saj dikur.

***

Andërllend (Misteri i një familjeje)Where stories live. Discover now