Mbërritën atje ku duhej të mbërrinin, në apartamentin e Katerinës. Ajo ishte dehur komplet, koktejli që kishte marrë i pëlqeu aq shumë sa piu dhe dy të tjerë pas tij. Hermani ishte mjaftuar me birrën që kish porositur. Dhe pija i doli shpejt. Duke ecur në rrugë, Katerina nuk mund ta kontrollonte dot veten nga dehja. Qeshte dhe veç qeshte. Hermani po përpiqej ta fuste në shtëpi, pasi ajo nuk mund të kontrollonte dot as peshën e vetë. Rëndohej e tëra mbi Hermanin.
-Ah Katerinë, ah! Ke pirë aq shumë sa nuk kontrollon dot as veten tënde, - tha ai.
Ajo vazhdoi të qeshte, me atë zërin që arrinte në nota të larta, si ndonjë e qeshur në stil soprano. Vogëlushen nuk e mbanin më këmbët. Hermani filloi të shqetësohej seriozisht.
-Katerinë, je e sigurt se arrin të ecësh dot?
-Oh, sigurisht që po. Unë jam Katerinë Evë Izabelë Andërllend. Dhe mund të eci me këmbët e mija si një zonjushë e vërtetë, - tha ajo, por këmbët iu morën dhe ra në krahët e Hermanit.
-Po zonjushë, e pashë se sa arrin të ecësh vetë, - ia ktheu ai me ironi, dhe e mori në krahë.Hyri brenda në apartament.
-Ku e ke dhomën e gjumit?
-Në të majtë, - belbëzoi ajo me zë të ulët.
E mori dhe e çoi drejt dhomës së gjumit, me qëllimin për ta lënë të flinte deri në mëngjes. Ai e uli ngadalë mbi shtrat.
-Shiko zonjushë, tani duhet të flesh. Por nuk mund të flesh me fustan sepse nuk është e rehatshme.
-Nga e di ti që... të flesh me fustan nuk është e rehatshme? Mos e ke... provuar vetë? - tha ashtu duke belbëzuar dhe ia dha së qeshurës.
-Me atë që ndodhi atje në rrugë, e kuptova se ti e urren kur të prishet fustani. Dhe nëse do të flesh me fustan, atëherë ai do të rrudhoset apo deformohet. Kështu që, duhet të kesh ndonjë palë pizhama në dollap, apo jo?
-Po... kam shtatë në fakt, por sonte... dua ato që janë në ngjyrë rozë.Hermani hapi dollapin dhe kontrolloi për pizhamat rozë. Katerina ndryshoi disi mimikën, një buzëqeshje iu krijua vetvetiu në fytyrë. Hermani u kthye nga ajo dhe spikati sytë e saj të ngulur mbi fytyrën e tij. Një tjetër vështrim i saji, kaq i bukur, me sytë e saj të larmë. Ai vështrim që për pak "e hodhi" Hermanin përtokë.
Katerina u ngrit nga shtrati dhe iu afrua ngadalë, me delikatesën e saj të dehur. Akoma vazhdonte ta shihte në sy, pa frikë, pa iu dridhur qerpiku. I afrohej gjithnjë e më shumë prezencës së tij.
-Katerinë... çfarë po bën?
Ajo vuri gishtin tregues në buzët e tij, që ai të heshtte. Më pas e tërhoqi teksa mbante me duart e saj jakën e këmishës së tij.
-Katerinë... do të pengohesh po ece mbrapsht.
-Oh... nuk dua t'ia di tani, - belbëzoi sërish.
Dhe ashtu duke ecur mbrapsht, Katerina u pengua vërtet dhe ra mbi shtrat, por jo e vetme. E tërhoqi dhe Hermanin pas vetes, duke e bërë atë të binte sipër saj. Por ai vuri duart mbi shtrat, që të mos i zinte frymën Katerinës, e cila qeshi sërish.Hermani e vështroi me shikimin e tij misterioz mashkullor.
-Çfarë loje po luan tani, ë? Po përfiton se je e dehur, apo po luan me mua duke e ditur se jam mashkull?
-Hajt pra Herman, unë nuk po bëj asgjë me ty. Thjesht më pëlqen të merrem pak me ty në këtë moment.
-Katerinë, nuk duhet të kishe pirë aq shumë. Shiko çfarë po bën. Kjo... nuk është aspak gjë e mirë, - reagoi ai.
Ajo buzëqeshi, ndieu një lloj përkujdesjeje nga ana e tij për të, dhe pikërisht atë dashurinë që i mungonte nga Vinsenti.
-Herman... si nuk arrita ta kuptoja dikur?
-Çfarë?
-Si nuk arrita ta kuptoja se sa e verbër paskam qenë? Unë kërkoja dashurinë kur... e kisha para syve, - tha ajo, e penduar përse kish qenë gjithnjë e verbuar kundrejt ndjenjave të tij.
-Vogëlushe... ti po flet përçart në këtë moment. Je... plotësisht e dehur, dhe kjo po të bën... të flasësh gjëra të tilla, si puna e verbërisë ndaj dashurisë. Je ende e vogël për të folur për këtë temë.
-Edhe ti i vogël ishe kur re në dashuri me mua. Nëse ti e provove atë ndjesi me mua... përse të mos e provoj dhe unë me ty?
-Unë nuk jam njeriu i duhur për ty në këtë aspekt.
-Nuk mund të më shmangësh me një gënjeshtër si kjo... Herman. Edhe po t'ia mbathësh, unë sërish do të përplasem me ty. Gjatë gjithë jetës.Katerina vuri njërën dorë në fytyrën e tij, për ta prekur atë butësisht. Ndieu diçka krejt të re, si kurrë më parë në jetën e saj. Ndieu tek e pushtuan të dridhurat, zemra i rrihte me një ritëm krejt të panjohur për të, një rrëqethje i përshkoi lëkurën. Diçka lindi në brendësi të saj, një tjetër Katerinë. E dinte që s'do të mund të shpëtonte aq lehtë nga Hermani tashmë, ai ia kish pështjellë mendjen. Por dhe ai nuk ndihej i sigurt për atë që Katerina po bënte. Tashmë e kishte pushtuar frika. E dinte se çfarë mund ta priste. Ajo e kishte marrë seriozisht gjithçka që po thoshte. Ai nuk mundi të lëvizte. Ajo e kishte bllokuar. Dhe pa e ditur as vetë se si, Katerina humbi vetveten nën praninë e tij dhe i dhuroi atij të parën puthje në jetën e saj. E para, të cilën mendonte dikur se do të ish Vinsenti që do ia dhuronte. Por rrjedha e jetës së saj ndryshoi drejtim. Dhe e gjithë ajo rrjedhë e çoi më vonë në diçka më të thellë me Hermanin. E çoi drejt të qenurit viktimë e dashurisë së Hermanit njëherë e përgjithmonë...
Dhe krejt papritur, ai hapi sytë. Ajo kishte ndaluar. E zuri gjumi menjëherë pas puthjes, pija ia mori kokën. Hermani buzëqeshi, por kësaj radhe ndryshe. Diçka akoma më e fortë lindi brenda tij. E pushtoi krejt papritur një dashuri e madhe për vogëlushen e tij.
-Si ka mundësi? Unë mund të kem çdo femër të mundshme, por me ty është diçka komplet tjetër. Si ka mundësi Katerinë? Si ka mundësi që ti je kaq ndryshe? Kaq... e çiltër? Je ende një vogëlushe. Një vogëlushe që më bëri sërish ta dua po aq sa herën e parë, ndoshta dhe më shumë. A thua të jesh ti vallë e duhura? A thua se do të jesh ti e fundit femër në jetën time? E fundit, por e vetmja? Nuk e di, por dua shumë ta di nëse do të jesh ti ajo. Do të isha tmerrësisht i lumtur të të kridhja në marrëzitë e mija. Por derisa të vijë ajo ditë... unë do të pres për ty. Tani do të të pres me gjithë dëshirën time.***
Ai u rikthye në realitet, ajo ishte ende aty, në dhomën ku ai do të flinte. Katerina ishte ende përpara tij, duke pritur një veprim sadopak të vogël nga Hermani. Ai u përkul paksa pranë saj dhe i dhuroi atë puthje që ajo e kërkonte aq shumë prej tij. Puthja e natës së mirë. Katerina u shkëput prej atij akti, buzëqeshi ëmbël dhe e përqafoi fort, për ta ndierë në vetvete. Ai u ndie thjesht i mrekulluar nga gjesti i saj. Ndonjëherë, e vetmja gjë që i nevojitej nga Katerina ishte thjesht një përqafim i ngrohtë i saj. Një përqafim i tillë e bënte ta adhuronte gjithnjë e më shumë.
ESTÁS LEYENDO
Andërllend (Misteri i një familjeje)
Ficción GeneralVrasja e babait të saj më 3 korrik të vitit 1999, në ditëlindjen e saj të trembëdhjetë, është pikërisht ngjarja që e shtyn Katerinën tetëmbëdhjetë vite më vonë t'i hyjë një aventure drejt zbulimit të së vërtetës, duke rrëmuar në të shkuarën e Andërl...